![Perurohet ura e re ne Zall Bastar, shkurton distancen me Tiranen ne 15 minuta Perurohet ura e re ne Zall Bastar, shkurton distancen me Tiranen ne 15 minuta](images/news/ura zall bastar tirana distanca.jpg)
Ndertimi me fitime te larta, ecuri e mire biznesi i vilave dhe hotelerise
Sipërmarrjet e karburanteve dhe ndërtimit mbizotërojnë në renditjen e “Monitor 200” për të ardhurat.
Por në atë të fitimeve, karburantet pothuajse zhduken. Ndërsa ndërtimi vijon të dominojë, duke rezultuar ndër sektorët më fitimprurës në Shqipëri.
Si i tillë, ai po tërheq më shumë kapitalet e lira, si rrjedhojë e kthimit të shpejtë, por edhe përfitimeve që po merr nga kanalizimi i parave informale, si në ngritjen e pallateve, ashtu edhe në transaksionet e shitblerjes.
Edhe në vitin 2021, sektori vijoi rritjen për të disatin vit radhazi. Prodhimi i Brendshëm Bruto në sektorin e ndërtimit, në vitin 2021, ishte rreth 180 miliardë lekë (1.5 miliardë euro), duke arritur rekordin historik, më e lartë se periudha 2007-2008, kur ishte në bumin e tij për të ardhur më pas drejt rënies ciklike.
Edhe aktiviteti i pasurive të paluajtshme ka vijuar rritjen e vazhdueshme, duke arritur në 111 miliardë lekë (gati 1 miliard euro) në vitin 2021. Të dy sektorët kontribuojnë në rreth 15% të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB).
Në renditjen e çdo viti, si sipas të ardhurave, ashtu edhe fitimeve, numri i subjekteve që vijnë nga ky sektor sa vjen e shtohet. Në “Monitor 200”, sipas fitimeve të vitit 2021, ka 34 shoqëri, që janë të lidhura direkt ose indirekt me ndërtimin.
Norma mesatare e fitimit të tyre është rritur vazhdimisht në tre vitet e fundit nga 10.8% në 2019-n, në 14.8% në 2020-n dhe 15.9% në vitin 2021.
Si kompanitë rezidenciale, ashtu dhe ato inxhinierike (rrugët e të tjera përmes tenderave) raportojnë panoramë të kënaqshme financiare dhe norma fitimi dyshifrore, që është më e lartë për sipërmarrjet e përfshira në ndërtime rezidenciale, ndonëse për apartamentet, fitimet luhaten në bazë të ciklit të shitjeve.
Vitet e fundit, sipërmarrjet që po investojnë në sektorin e hotelerisë, turizmit dhe vilave në bregdet, po bëhen një faktor i rëndësishëm në këtë segment dhe po rriten me shpejtësi,
duke shfrytëzuar kthimin e Shqipërisë në një destinacion të preferuar turistik dhe lehtësitë fiskale që ka dhënë qeveria për markat me 5 yje (përjashtim nga tatimfitimi për 10 vjet dhe heqjen e taksës së infrastrukturës).
Në ndërtimet turistike po mbizotërojnë vilat, të kombinuara me hotele, që janë investime vendase dhe marrin në përdorim emrat e markave të njohura ndërkombëtare.
Zhvilluesit pohojnë se preferojnë vilat për shkak të kthimit të shpejtë që ato kanë, ndërsa hotelet kërkojnë më shumë punë dhe kanë kosto më të lartë menaxhimi dhe kthim të investimit më të gjatë në kohë.
Subjekti me fitime më të larta në vlerë në gjithë sektorin e ndërtimit për vitin 2021 ishte “Concord Investment”, pjesë e grupit “Edil-Al”, me 1.2 miliardë lekë (para taksave) me një normë prej 33%. “Concord Investment” hyri për herë të parë në 2021 në të dy renditjet, sipas të ardhurave dhe fitimeve.
Sipas raportit të aktivitetit, shoqëria është investitore në një sërë projektesh të rëndësishme në fushën e pasurive të paluajtshme dhe novatore në investimet në shërbimet e hoteleri-turizëm, duke qenë ndër të parat që kanë marrë statusin e veçantë të investitorit në hotelet me 5 yje.
Kompania po ndërton strukturën akomoduese me 5 yje “San Pietro” në Gjirin e Lalëzit. Shoqëria ka mbyllur investimin në qendrën rezidenciale, kompleksi “Fiori di Bosco”, në rrugën “Don Bosko”.
Ajo po investon në ndërtimin e një kompleksi ambientesh magazinash industriale në Kashar, i pari i llojit të tij në Tiranë. E dyta në renditje është “Antea Cement”, po me rreth 1.2 miliardë lekë fitime, me një normë prej 13.4%.
E treta vijon “Green Coast”, po në segmentin e vilave rezidenciale e një hoteli, me fitime prej 874 milionë lekësh dhe kthim 18.1%.
Sipas raportit të aktivitetit, “nga analiza horizontale e bërë për vitet 2020 dhe 2021, shoqëria paraqet një rritje në fitimin operativ dhe rënie në fitimin neto. Kjo rritje lidhet me fazën e investimit në të cilën ndodhet projekti.
Që nga krijimi i saj, shoqëria ka qenë kryesisht vetëm në fazë investimi të projektit ‘Green Coast Resort’ dhe vetëm pas gjysmës së dytë të vitit 2020, ka filluar gjenerimi i fitimeve të para nga njohjet e të ardhurave.
Deri në fund të vitit 2020 janë njohur mesatarisht 27.3% e totalit të njësive të resortit, ndërsa në vitin 2021, janë njohur mesatarisht 23.3%. Në total, shoqëria, deri më 31 dhjetor 2021, ka njohur shitjen e afërsisht 50.1% të të gjithë njësive totale.
Treguesit e përfitueshmërisë paraqesin edhe faktin që në vitin 2021, shoqëria ka qenë dhe është duke investuar, përveçse në ‘Green Coast Resort’ edhe në projekte të tjera të reja të saj, por njëkohësisht, edhe duke gjeneruar fitim nga njohjet shitjeve te njësive”.
Në vijim të vrullit të ndërtimeve që ka përfshirë kryesisht kryeqytetin, subjektet e përfshira në projektet rezidenciale raportojnë shumëfishim të fitimeve.
“Homeplan” kishte fitime prej 696 milionë lekësh, me një normë prej 32.4%, duke u renditur e katërta në total në sektorin e ndërtimit dhe e para nga projektet e banesave, pas trefishimit të fitimeve në vitin 2021, në raport me vitin e mëparshëm.
Edhe kompanitë me aktivitet në ndërtimin e rrugëve dhe punëve publike, raportojnë marzh të lartë. Në vitin 2021, kompania me fitim më të lartë ishte “Alb Building”, me 613 milionë lekë dhe normë 23%.
Ajo ndiqet nga “Cobial”, po në punët publike e prodhimin e materialeve të ndërtimit, me fitime prej 577 milionë lekësh, me normë prej 43%, që është më e larta e gjithë sektorit të ndërtimit.
Pas “Cobial”, me normat më të larta të fitimit në ndërtim rezultojnë “ASL” (34.9%); “MSE” (34.7%), “Concord Investment”, (33.3%); K. I. D – ALB (33.0%); “Homeplan” (32.4%); “Fratari Construction 1990” (29.7%); “Alb-Building” (23.1%); “A. N. K”, (20.4%); “Green Coast” 18.1%; “Curri” (17.2%).
Tendenca e ndërtimeve rezidenciale pritet të vijojë. Vetëm në tremujorin e parë 2022, sipërfaqja e lejeve ishte rreth 800 mijë metra katrorë, sa gjysma e gjithë vitit 2021 dhe niveli më i lartë rekord i dhënë ndonjëherë për kryeqytetin në këtë periudhë.
Ndërkohë, që në qendër, kanë nisur punën shumë projekte luksoze apo kulla, çmimet e tyre arrijnë deri në 4-5 mijë euro/m², më të shtrenjtat në rajon./Burimi: Monitor https://www.monitor.al/ndertimi-me-fitime-te-larta-ecuri-e-mire-e-biznesit-te-vilave-dhe-hotelerise-2/
Më të lexuarat
![Perurohet ura e re ne Zall Bastar, shkurton distancen me Tiranen ne 15 minuta Perurohet ura e re ne Zall Bastar, shkurton distancen me Tiranen ne 15 minuta](images/news/ura zall bastar tirana distanca.jpg)
![Kursi i kembimit, euro prek nje minimum te ri historik Kursi i kembimit, euro prek nje minimum te ri historik](images/news/euro kursi kembimit minimim i ri historik.jpg)
![Cmimet i rikthehen rritjes ne maj, per here te pare gjate ketij viti Cmimet i rikthehen rritjes ne maj, per here te pare gjate ketij viti](images/news/inflacioni maj 2024 rritje.jpg)
![788 mln euro nga turizmi ne 3 mujor, por nje i huaj shpenzoi me pak se vjet 788 mln euro nga turizmi ne 3 mujor, por nje i huaj shpenzoi me pak se vjet](images/news/instat turiste te ardhura shpenzime raporti.jpg)
![Rishikohet buxheti, rrogat e reja te administrates miratohen kete muaj Rishikohet buxheti, rrogat e reja te administrates miratohen kete muaj](images/news/paga administrate qershor rritje buxheti.jpg)
![Zgjedhjet europiane, perparon e djathta ekstreme, EPP merr shumicen e votave Zgjedhjet europiane, perparon e djathta ekstreme, EPP merr shumicen e votave](images/news/zgjedhjet europiane partite e djathta ekstreme.jpg)
![Sot provimi i dyte, 28 mije maturante i nenshtrohen provimit te Gjuhes Shqipe dhe Letersise Sot provimi i dyte, 28 mije maturante i nenshtrohen provimit te Gjuhes Shqipe dhe Letersise](images/news/matura provimi dyte gjuhe letersi.jpg)
![Raporti: Cmimet e larta te pronave, shkak pastrimi i parave dhe investimi ne shtepi bosh Raporti: Cmimet e larta te pronave, shkak pastrimi i parave dhe investimi ne shtepi bosh](images/news/prona cmime te larta raporti shqiperi.jpg)
![Sot protesta e opozites para bashkise se Tiranes, rruget qe bllokohen Sot protesta e opozites para bashkise se Tiranes, rruget qe bllokohen](images/news/policia protesta plan masazh rruget.jpg)
![2023, rreth 15 mije persona te punesuar online ne Shqiperi 2023, rreth 15 mije persona te punesuar online ne Shqiperi](images/news/puna online shtepi raporti.jpg)